Friday, January 2, 2015

Faslli Haliti / Ernesto / tregim

FASLLI HALITI
 
ERNESTO
(tregim)

Italiani i tretë qё u strehuar nё shtёpinё tonё, quhej Ernesto dhe ishte kalesh. Vetullat e zeza tё bashkuara nё ballё, ngjanin me krahët e njё korbi nё fluturim.
Kur dëgjova xhaxhanё, ta thёrriste Ernesht, edhe unё Ernesht e thërrisja. Nuk ia shqiptonim dot emrin... Dukej i ngatërruar. Emёr i huaj.
Erneston erdhi nga qyteti. E solli djali i hallës. Gjendja nё qytet ishte e rrezikshme pёr ushtarёt italianё, pas kapitullimit tё Italisё. Po t’i kapte gjermani, i pushkatonte nё vend si dezertorё. Ne e kishim shtёpinё nё lagjen mё periferike tё qytetit. Kёtu Ernesto do tё ishte i sigurt dhe i qetё.
Nё lagjen tonё, tё gjithё merreshin me bujqësi, me pёrjastim tё babjit dhe dy ortakёve tё tij çamё qё merreshin me trgёtinё e mishit dhe tё fshesarit Liko qё fshinte pazarin. Gjermanёt nuk dukeshin shpesh nga lagjja jonё periferike. Por njё ditё, pas përplasjes me partizanёt nё Shkuqth, kur kolona gjermane kaloi pёrmes lagjes e po i afrohej shtёpisё sonё, Ernesto kaloi çaste ferri. Xhaxhai e strehoi “jetimin” nё bodrumin e shtёpisё qё ne i thoshim binxё, qё ishte i errёt burg dhe, binte erё myk.
Edhe pasi kolona gjermane u largua, Ernesto nuk guxoi tё dilte nga binxa edhe pse po i qёrroheshin sytё dhe po e mbyste era e mykut. Edhe kur xhaxhai i tha tё dilte nga binxa, ai nguroi, por dhe kur doli, vazhdoi tё dridhej nga tmerri, kur mendonte se gjermanёt, mund ta kishin pushkatuar nё vend, po pyetur nё kishe fёmijё, nёnё, baba, motёr, vёlla...
Me përjashtim tё atij çastit ferri, gjatё gjithё kohës qё Ernesto punoi e jetoi te ne, pati mall pёr shtёpnё e tij, por jo shqetёsime.
Xhaxhai e donte Erneston, sepse ishte fshatar e merrte vesh nga bujqësia, madje mё shumё se vetё xhaxhai mbahej si kryebujk. Xhaxhai mburrej para bujqve me kaleshin e tij italian qё lёronte, mbillte, korrte, ngarkonte qerren me dega si ta ngarkone vetё xhaxhai.
Kur unё i thosha Ernestos kalesh, ai mё merrte nё krah e mё pёrkёdheltё: riccio, cucciolo, birichino, dhe gajasej sё qeshuri.
Ernesto ishte i ri dhe xhaxhai e mbante si çunin e vet. Ernesto hante e pinte nё njё sofër me pjesёtarёt e shtёpisё dhe flinte nё odёn e miqve me jorgan e çarçafё tё pastër. Mbaj mend se atё ditё qё do tё largohej nga shtëpija jonё pёr nё shtёpinё e tij nё Itali, Ernesto na përqafoi tё gjithёve duke mos i mbajtur dot lotёt.
Xhaxhai i tha Ernestos qё para se tё largohej, tё mbillte njё qershi nё kopshtin tonё, nё shenjё kujtimi, pranё dardhёs dhe shegёs qё kishin mbjell dy italianёt e tjerё, para tij: Xhovani e Domeniko. Kur Lufta mbaroi dhe Enesto priste me me javё, me ditё,me orё me minuta, qё tё kthehej nё shtёpinё e tij nё Itali, xhaxhai nuk e ngarkonte me punё bujqësie, por Ernestos s’i rrinin duart. Njё ditё pranvere me diell dhe me erё lulesh, kur frynte juga e bardhё dhe nёna po ngjeshte brumin pёr tё bёrё lakror, Ernesto i afrohet nёnёs e i thotё me droje: nёna Bukuria, unё di bёj tagliatelle mira shumё.
Pёr ç’a tela e ka fjalёn ky, mor bir? pyeti nёna vёllanё e madh.
Thotë se di tё bёjё makarona tё mira.
Fjala tagliatelle m’u ngulit nё kokё e s’e harrova, ngaqë makaronat e italianit mё shijuan shumё. Ernesto i tëholli e i ndeu vetё petёt nё diell.
Po ky i uruar, pse bёn punё grash, thoshte xhaxhai nёpёr dhёmbё dhe, kthente kokёn qё tё mos e shihte Erneston qё i tëhollte e i nderte vetё petёt. Edhe vetё Ernestos i vinte zor nga xhaxhai, sepse e dinte qё, xhaxhai e vlerësonte atё si bujk e jo si tёhollёs petёsh, prandaj dhe bёnte sikur s’e shihte, kur kalonte lart e poshtё nёpёr oborr.

***
Nё ditët e para tё Çlirimit, njё mbrëmje, kur dielli kishte skuqur gjithё qiellin mbi Kodrat e Karatoprakut dhe retë e bardha tё përflakura, vareshin mbi kodra si lëkura delesh pezull mbi kodra, nёna iu afrua italianit e i tha e gёzuar:
Ernesht, u prishёm me Inglizin. U lidhёm me Rusin...
Shuma keqa nёna Bukuria, Rusi keqa; Inglizi, Amerika mira..., i tha me pikëllim, Ernesto, nёnёs sime.
E dëgjova vetё italianin, kur i tha nёnёs shumё i dёshpёruar se Inglizi dhe Amerika ishin tё mirё, kurse Rusi i keq dhe s’di pse s’i harrova ato gjithё jetёn, gjer nё ditët e apokalipsit komunist... Po pse nёna ime pse i tha me gёzim, italianit se ishim prishur me Inglizin e ishim lidhur me Rusin dhe pse italiani e priti me trishtim lidhjen tonё me Rusinё komuniste ?
Mbase nga vetё fjalët qё tha Ernesto: Inglizi, Amerika, mira dhe Rusi keqa, unё si fёmijё, i përfytyrova tё dy palёt; Inglizin, Amerikёn e Rusin, si dy ara, njëra nga tё cilat bёnte grurё e misёr, kurse tjetra jo. Po cila arё bёnte grurё e cila nuk bёnte? Nuk e kuptoja. Ernesto po. Nёna po. Me mendjen time prej fëmije, mendoja se ara e keqe qё s’bёnte grurё e misёr ishte Rusi, kurse ara e mirё ishte Inglizi, Amerika.
Nёnё, pse u prishёm me Inglizin, Amerikёn? Inglizi, Ameika janё si ara e Sheqit qё bёn dhe misёr dhe grurё?
Po ajo s’ёshtё ara jonё, mor bir, ajo ёshtё e Hamdi beut... Ne s’kemi ara, tha nёna
Po ato i mbjellim ne, i thashё nёnёs.
I mbjellim, po s’i korrim..., tha nёna.
Po ato, ne i korrim.
I korrim, i korrim, po s’i shijmë, tha nёna.
I shijmë si s’i shijmë, i them nёnёs.
I shijmë i shijmë, po s’fusim grurё nё hambar, tha me inat ajo.
Pse?
Se gjysma e grurit hynё nё hambarin e beut dhe beu ka hambar tё madh...

***
Gjatё gjithё viteve tё para tё socializmit, kur ende isha adoleshent, kur ne e shanim Amerikёn, Anglinё, kur bërtisnim: Poshtё Amerika duke përplasnim kёmbёt, kur brohorisnim e thirrisnim; rroftë Bashkimi Sovjetik, bija nё mendime dhe, thosha me vete se, s’qenka Amerika si ara e Sheqit, por Bashkimi Sovjetik. Po pse atёherё italiani qё ne e mbanim me bukё, ai Ernesto, i tha nёnёs qё Iglizi,Amerika mira, Rusi shuma keqa?
E mora inat italianin dhe ia shkula qershinë qё mbolli si njё shenjё, si njё kujtim, nё kopshtin tonё, pranё dardhës dhe shegёs qё kishin mbjellё dy italianёt e tjerё para tij: Xhovani e Domeniko.

***
Po kur socializmi u përmbys dhe unё dëgjoja brohorimat pёr Amerikёn dhe me sytё dhe kokёn kthyer drejt saj dhe Evropёs, kurse Bashkimit Sovjetik, tё parёt, po i kthenin bythën ish komunistёt thashё i hidhёruar: i doli fjala italianit, i doli fjala atij muti, po shpejt i kërkova falje Ernestos: mё fal, Enernesto, mё fal, i gjallё a i vdekur qofshё, mё fal qё tё quajta ***.

***
I shihja ndryshimet qё po ndodhnin, pas vithisjes sё sistemit tё kuq, por unё, ende, nuk e doja e nuk besoja nё sistemin e ri, blu. Amerikёn, jo vetëm qё s’e doja, por fillova ta urreja edhe mё egërsisht. Vazhdoja ta shihja nё krye tё vatrave tё zjarrit, ta shihja si njё Vezuv qё mbulonte me llavё e mi hi gjithё globin... E kuptoja qё këto ishin jehona tё sё shkuarës nё kokёn time. Kuptohet... Komunizmi kishte bёrё punёn e vet... Unё ende s’isha pastruar nga urrejtja edhe pse kjo urrejtja pёr Amerikёn kish filluar tё mbrapsej disi, tё tërhiqej si dallga e oqeanit qё vetëshuhet, sapo i afrohet thellёsisё. Pjesa komuniste brenda meje, sapo vinte, po përpiqej tё lёshonte terren e tё merrte anёn e ndryshimit, po përpiqej tё merrte anёn e sё resё, po a ishte e re, kjo e re qё po vinte? Ne, e quanim botё tё vjetёr kёtё, botё tё kalbur, botё qё duhej shembur; qё duhej shkulur me rrёnjё, por qё s’u shkul, s’u shemb; por na shembi keq.

***
Mu kujtua shembja e kishave dhe xhamive. M’u kujtuan ata dy priftёrinjtё e kishës sё madhe tё qytetit tonё tё vogёl: njeri prej tyre e rroi mjekrёn menjёherё dhe, e rroi pikërisht ai qё e mbante mё tё gjatё, kurse ai qё e mbante mё mё tё shkurtër, jo vetëm qё s’e rroi, por qё ditёn qё u shembёn kishat e xhamitё, u mbyll, u ngujua nё shtёpinё e tij dhe nuk doli nga s’andejmi, gjersa vdiq. De u varros me mjekёr.
Ernesto nuk ishte trishtuar kot, kur nёna ime i tha se ishim lidhur me Rusin. Si pronar, ai e dinte qё komunizmi tё merrte pronat, dhe... Kurse nёna ime, si bujkeshё e beut, u gёzua se lidhja me Rusin do ta bёnte me tokё, do ta bёnte pronare...

***
Mbille prapё qershinë qё e mbolli italiani e qё ti ia shkule nga inati, vetëm e vetëm, pse ai tha qё: Amerika, Anglia mira, Rusia keqa.
Ernestos i doli fjala... Mbille qershinë...
Mbille ti, po deshe...
Po e mbolla unё, ajo qershi, s’ka pёr tё zёnё kurrë... dhe m’u kujtua ai prifti qё s’e rroi mjekrёn gjersa vdiq dhe u varros me mjekër...

26 mars, 18 shtator 2009

No comments:

Post a Comment