NA THATË...
Na thatë:
Lindi fëmija.
Ju thamë të na rrojë.
Na thatë lindi
Djalë.
Ju besuam.
Gëzuat.
Gëzuam.
E përshëndetët me krisma lindjen e tij
Me krisma dhe ne.
Thirrët
Djalë,
Djalë dhe ne.
Gëzuat me krisma,
Me krisma gëzuam.
Na besuat,
Ju besuam.
Fëmijës
I duhej krevat.
Prishëm djepet,
Prishëm kopanecët.
Filloi dimri.
Premë mollët, pjeshkat, qershitë.
Fëmija
Duhej të rritej si mollë
Pranë vatrës me thëngjij të pjekur, të kuq,
Si kokrra qershish,
Si prush.
Erdhi
Pranvera.
Erdhi
Dhe vera.
Na thatë përsëri
Vështirësitë e të rritjes
Rritja e fëmijës paka tepër vështirësi
Duroni.
Ju besuam.
Duhej duruar.
Duruam.
Hoqëm për djalin qumështin nga buza.
Fëmija pinte qumësht.
Ne pinim dhallë.
Fëmija
Rritej me bukë gruri prapë,
Ne plakeshim me bukë misri dalë nga dalë.
Na thatë:
Fëmija
Po çohet këmbë.
I dhamë opingat tona,
Fëmija mbathur
Fëmija
Me opinga,
Ne zbathur.
Na thatë:
Fëmija po ecën.
Hoqëm këpucët,
Ia mbathëm fëmijës.
Ne me opinga nëpër llucë.
Fëmija
Me këpucë
Na thatë:
Vështirësitë e rritjes shokë.
Duroni!
Duhej duruar.
Duruam.
Duhej besuar.
Besuam.
Ne plakeshim
Me bukë misri dhe dhallë,
Fëmija rritej me kajmak,
Rritej me tul simite të bardhë.
Pritëm.
Shpresonim që djali
të na bëhej
krah
Por
Ah...!
Djali
Na doli vajzë.
Duroni.
Po na thoni përsëri:
Fëmija i vërtetë, na besoni!
Lindi vetëm tani...
Si kështu?
Dhe këtë na e thoni po ju?!
1991
No comments:
Post a Comment